Thursday, September 23, 2010

Në vend të falënderimit,me rastin e 7-të vjetorit të vdekjës së Mehmet Kajtazit


Para se të flasim për jetën dhe veprën e shkrimtarit tonë të mirënjohur Mehmet Kajtazi, në emër të falënderimit për të gjithë pjesëmarrësit e akademisë përkujtimore  po japim citate nga fjala falënderuese që ka dhënë z. Mehmet Kajtazi më 29 mars 2002 me rastin e shfaqjes së dramës “Nata e Fundit në Goli Otok”: Fjala FALEMINDERIT (në kuptimin e bimës dhe në kuptimin e tokës), ua drejtojë sonte deri në përulje drejtë NJËREZVE që qëndruan dhe u flijuan që ne të mos jetojmë përherë me erë të mollës, por mollën ta kemi në duart tona”.

Mehmet Kajtazi u lind në vitin 1944 në Kllodernicë të Drenicës (komuna e Skenderajt). Një kohë punoi arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në vendlindje, në Turiqefc, në Runikë, në Klinë të Epërme dhe në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Skënderaj, ndërsa, prej vitit 1973 ishte gazetar dhe redaktor i fejtonistikës në të përditshmen “Rilindja” dhe së fundi deri në vdekje punoi si redaktor profesional për prozë në Ndërmarrjen Botuese “Rilindja”, Prishtinë. Më së shumti lëvroi reportazhin ku trajtoi tema të aktualitetit dhe të historisë. Ka botuar tregime, reportazhe dhe shkrime të ndryshme në revista dhe gazeta që botoheshin në gjuhën shqipe në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Podgoricë dhe Zvicër.

Me krijimtari letrare merrej që nga shkolla e mesme. Ka shkruar kryesisht prozë për të rritur: romane, tregime, novela.

Pjesë nga veprimtaria e tij artistike janë përkthyer dhe botuar në frëngjisht.
Mehmet Kajtazi ishte krijues që ka shfrytëzuar ngjarje të vërteta, personalitete historike e figura tjera, por edhe situata të veçanta të gërshetuara me ndodhi e personazhe fiktive, të cilat në laboratorin e krijuesit janë përpunuar artistikisht. Tema e fakte të realitetit tonë kombëtar e historik janë brumosur në një varg veprash letrare të Mehmet Kajtazit, të cilat me ngjyrime artistike janë fuqizuar”.

Mehmet Kajtazi ka botuar pesëmbëdhjetë romane dhe dy përmbledhje tregimesh, “ku kryesisht përpush katrahurat e mëdha të etnisë, sfidat, shpresat dhe udhët që e ngjitën në majat e mbijetesës. Pra në të shumtën, në fabulën e veprave të këtij prozatori gëlojnë luftërat, varrëtarët, nënat shamizeza dhe heronjtë, të cilët përcjellin nga një brez në tjetrin gjëmimet e rrufeve, zinë e riteve mortore, kujet dhe prapë kumbimet e betejave dhe sërish kapërcimi i rrethakut të motjes. Të gjitha këto rrjedhin nga një rrafsh rrëfimor plot thyerje e kontraste dhe thuren me nje gjuhë që duket sikur mezi e bart baladën, vëren Rushit Ramabaja.

 

Mehmet Kajtazi ka botuar këto vepra:
1.     ''Nata në gur'' (roman, 1984), botoi “Rilindja”, Prishtinë,
2.     ''Plaku dhe urat'' (roman, 1986), botoi “Flaka”, Shkup. Nuk janë të rralla rastet kur një vepër letrare shkruhet si reagim ndaj një modeli pararendës të llojit të vet, duke tentuar njëherit që mohimin e atij modeli ta mbështesë në argumentet që ofron përmes veprës së rë...Një dukuri të tillë e ndeshim edhe tek romani i Mehmet Kajtazit ''Plaku dhe urat''. Te ky roman, të bëjmë një paralele me konstatimet e deritashme, kemi tekstin që i shqipton situatat e jetës dhe tekstin që komenton këtë formë të shqiptimit dhe artikulimit artistik. ... Romani ''Plaku dhe urat'' ka një kompozicion do të thoshim mozaik, ku tërësinë e rrëfimit e sajojnë reminishencat nga kujtimet e personazhit kryesor (Amnitore Fatorini). Pse është kompozicion mozaik kur pjesa më e madhe e rrëfimit realizohet në veten e parë? Autori mbase edhe qëllimisht ikën nga një mënyrë strikte e zhvillimit të veprimit dhe rrëfimit romanësor, Shkruante R. Musliu për romanin''Plaku dhe urat'' më 22.11.1986.
3.     ''Zemër e Thyer'' (tregime, 1987), botoi “Rilindja”, Prishtinë,
4.     ''Fundi i legjendave'' (roman, 1990), botoi “Rilindja”, Prishtinë, (Teatri Shqiptar “Kurora” nga Nyoni-i Zvicër (Theatre Albanais “Kurora” de Nyon) dramatizoi dhe shfaqi romanin ''Fundi i legjendave'')

5.     ''Shqiptarët në Goli Otok'' (roman, 1991), botoi “Dielli”, Zagreb. Proza ''Shqiptarët në Goli Otok'' ka për temë tragjikën e të burgosurve politikë në kohën e inkuizicionit sllavokomunist, të njohur si periudha e Informbyrosë. Në gjithë veprën ''Shqiptarët në Goli Otok'' të Mehmet Kajtazit,  shkruante Rushit Ramabaja, rrëfimi është ndërtuar në formë mozaiku, ku si në ekran ravijëzohen fatet njerëzore.
Teatri Popullor i Prishtinës ka inskenuar dramën “Nata e fundit në Goli Otok”, sipas romanit ''Shqiptarët në Goli Otok''-5 nëntor 1992 u shfaq premiera e kësaj drame dhe kjo dramë theu të gjitha rekordet duke patur mbi 300 repriza dhe është shfaqur në të gjitha trojet shqiptare dhe jashtë vendit. Drama “Nata e fundit në Goli Otok”, sipas romanit të Mehmet Kajtazit, është dramë e dhembjes, dramë e ndërgjegjejes së vrarë, e mllefit të frenuar, e zhgënjimit, e përpjekjes për ta mundur frikën, tmerrin, vdekjen, e përpjekjes për të tejkaluar vetveten, brenda greminave të thella shpirtërore të shkaktuara nga malli për lirinë e largët, që si fatomorganë sillet brenda grilave, shkruante Fadil  Hysaj.
6.     ''Kodra e pajtimit'' (tregime, 1993), botoi “Ylberi”, Prishtinë, Duke lexuar tregimet e Mehmet Kajtazit, shkruante Rifat Kukaj, lexuesi gjithsesi do të provokohet me ngërthimet, psherëtimat, gjëmat dhe shpresën e njeriut tonë që nga kohërat më të hershme e deri më sot.
7.     ''Ushtimë e Alboderit'' (roman, 1993), botoi  “Shkëndija”, Prishtinë. Zeqir Gërvalla lidhur me veprën ''Ushtimë e Alboderit'' shkruante: Trekëndëshi tredimensional i romanit ''Ushtimë e Alboderit'' janë tri kohërat-në një kohë-Harmoni në shesh të Brukselit duke hyrë në dimensionin e katërt të ringjalljes së një kohe të Re të Ribashkimit tonë Kombëtar Shpirtëror e Tokësor në një rend të ri të Ballkanit-Evropës e Botës liridashësë e përparimtare nën Diellin e të gjithëve falë Zotit Një- Krijuesit të Gjithësisë
8.     ''Shote Galica'' (roman, 1995), botoi Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë.  Për këtë roman, Rushit Ramabaja shkruante: ''Shote Galica'' është një transponim i sukseshëm i njërës nga baladat tona kombëtare që në rrethakun e historisë sikur nuk po e presin njëra rjetrën
9.     ''Minatorët'' (roman, 1995), botoi “Onufri”, Elbasan. Vangjush Saro shkruante: Vepër e frymëzuar drejtpërdrejtë nga ngjarjen në minierën e Trepçës në Kosovë, libër prej nga mesazhi i rezistencës, artistikisht dhe dokumentarisht, vjen e plotëson kuadrin e luftës për të drejtat kombëtare e qytetarëve. Autori i sjell kështu lexuesit një botë të pasur që vlon në galeritë e minierave, por me shumë në galeritë e shpirtit.
10. ''Thikë në portokall' (roman, 1995), botoi Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë,
11. ''Gjeli i katedrales'' (roman, 1996), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë,
12. ''Santa Ana'' (roman, 1998), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë,
13. ''Guri i dallëndyshes'' (roman, 1998), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë,
14. ''Lindja në qiell'' (roman, 2000), botoi  “Rilindja”, Prishtinë. Ngjarja e romanit ''Lindja në qiell'', janë vitet tona të përgjakshme nën okupim, personazhet si Agon Zhuka, Adem Jashari, Curr Yjëzimi, Yllkë Dhogaqi, Gëzim Dushi e shumë të tjerë, i bëjnë jëtë veprës  e që është  shumë e afërt me  kohën dhe traumat që i  përjetoi populli ynë në Kosovë.
 Mehmet Kajtazi me këtë roman tregoi edhe njëherë se është i lidhur ngushtë me fatin e kombit dhe historinë e tij, shkruante H. Perloka.
15.  ''Udha I'' (roman, 2000), botoi  “Rilindja”, Prishtinë,
16. ''Ndezja e shiut'' (roman, 2001), botoi NB “Rilindja”, Prishtinë, (Romani Ndezja e shiut u nderua me çmimin “Hivzi Sylejmani” të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën më të mirë në prozë në vitin 2001).
Edhe në këtë roman  shkrimtari Mehmet Kajtazi preokupohet me kohë, hapësirat e ekzistencës e të etnisë shqiptare. Kjo unazë narrative-kompozicionale-figurative ka zbritur shumë afër kohës sonë: kalvaret e golgotat e dëbimit masiv të shqiptarëve gjatë luftës së fundit, tek e nisë me Bllacën famëkqe, e vazhdon...
17. ''Një diell tjetër'' (roman, 2003). botoi NB “Rilindja”, Prishtinë,
Edhe në këtë vepër autori, ashtu si edhe në veprat tjera, lëndën e merr nga jeta e përditdshme në Kosovë, nga njerëzit e saj, nga problemet ekzistenciale me të cilat ballafaqohen shqiptarët, për ti bërë ballë gjithë katrahurave që ranë mbi ne nga pushtuesit e huaj tash e sa shekuj.

Romani ''Një diell tjetër'' i Mehmet Kajtazit paraqet tragjedinë shqiptare të viteve nëntëdhjetë, e cila triumfoi me luftën për çlirim. Duke u zhytur në dramën e etnisë Mehmet Kajtazi jep me ngjyra të theksuara kohën e aparteidit serb në vitet nëntëdhjetë të shekullit që lam pas.

Romani ''Një diell tjetër'', siç vëren edhe shkrimtari i mirënjohur  Rushit  Ramabaja në pasthënie, i shkruar sipas modusit të ironisë së qëndrueshme, e shqipton dramën më të re shqiptare me një gjuhë e me një stil të mvetësishëm duke vendosur në një kompleks modern sintetizues.

Shkrimtari dhe miku ynë i mirënjohur z.Mehmet Kajtazi ndërroi jetë më 25 shtator 2003 në Lozanë të Zvicrës dhe u varros në Prishtinë më 27 shtator 2003.

Prishtinë ,25.9.2010                                                             Flori  Bruqi